Komandanti i ri i KFOR-it, gjeneral major Angelo Michele Ristuccia, është takuar të enjten me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe kryetarët e katërt komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Në një njoftim për media të KFOR-it, thuhet se gjatë takimit është diskutuar për aspektet e sigurisë në veri të Kosovës, derisa Ristuccia i ka informuar zyrtarët serbë për aktivitetet që është duke i ndërmarrë KFOR-i për të parandaluar ndonjë eskalim të situatës në veri, në të ardhmen.
“Gjatë këtij takimi njohës, komandanti i KFOR-it, diskutoi për situatën e përgjithshme, veçanërisht për një komunikim të besueshëm dhe transparent dhe për aspektet e sigurisë në veri të Kosovës. Ai gjithashtu e informoi Rakiqin dhe përfaqësuesit e komunave për aktivitetet dhe përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it për të parandaluar ndonjë përshkallëzim në të ardhmen. KFOR-i siguroi kryetarët e komunave se po monitoron nga afër situatën, veçanërisht në veri të Kosovës dhe mbetet i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – që rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Gjenerali Ristuccia ka kërkuar nga zyrtarët serbë që të evitojnë veprimet e njëanshme, të përmbahen nga dhuna dhe të sigurojnë konstruktivitet në dialog.