Në lidhje me sigurinë dhe stabilitetin në vend, KFOR-i ka thënë se deri më tani nuk ka pasur ndonjë shqetësim dhe se prezenca e KFOR-it në veri vazhdon të mbetet e njëjtë duke u bazuar në mandatin dhe misionin e tyre.
“Deri më sot nuk kemi ndonjë fakt që mund të shkaktojë shqetësim dhe nuk ka pasur asnjë ndryshim në qëndrimin e forcës së misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Po ashtu më tutje thuhet se komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë, të Organizatave të Sigurisë së Kosovës dhe të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë.
Ndërkaq në lidhje me çështjen e reciprocitetit të targave, KFOR-i ka thënë se ende nuk ka detaje dhe se situata aktuale karakterizohet nga çështje të ndryshme, secila me karakter politik.
“E dimë që të gjitha palët po punojnë fort për zgjidhjen e tyre, por ende nuk kemi detaje”.
Tutje thuhet se KFOR-i kryen misionin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, duke monitoruar nga afër situatën në terren dhe është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti, siguria dhe liria e lëvizjes.
“Është thelbësore të shmangen veprimet dhe iniciativat e njëanshme që mund të çojnë në përshkallëzim ose dhunë të panevojshme”, tha Kfori për RTV Dukagjini.