Misioni i KFOR-it tha se nuk ishte në zonën ku tre policë të Kosovës, siç e ka cilësuar KFOR-i, u arrestuan të mërkurën nga trupat serbe. Në një komunikatë për media, KFOR-i shkroi të enjten se ka dërguar një ekip në zonë dhe ka vendosur kontakte me përfaqësuesit e Kosovës dhe të autoriteteve serbe.
“KFOR-i gjithashtu është në kontakt të rregullt me misionin e udhëhequr nga BE-ja për sundimin e ligjit, EULEX-in. Ne u bëjmë thirrje palëve që t’i ulin menjëherë tensionet dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme, që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm”, thuhet në komunikatë.
KFOR-i tha se po monitoron situatën dhe po vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të dalë nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Autoritetet kosovare e kanë cilësuar si kidnapim, derisa Këshilli i Sigurisë është mbledhur të enjten në mëngjes. Gjithashtu, Kuvendi i Kosovës po mban seancë për këtë çështje.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që policët e kidnapuar të lirohen pa kushte.
Kryeministri Albin Kurti ka kritikuar heshtjen e KFOR-it për këtë rast, duke thënë se ai kishte mandat për ta parandaluar sulmin kidnapues.
“Ne ende jemi në pritje të KFOR-it të marrjes së përgjegjësisë efektive për ushtrimin e funksionit të saj të mbrojtjes duke urdhëruar Serbinë t’i kthejë policët e kidnapuar dhe ta ndëshkojë këtë shkelje flagrante të integritetit territorial, të sovranitetit por edhe të pikës 4 të Marrëveshjes së Kumanovës. Dje është shkelur pika 4, e datës 9 qershor, 1999. KFOR-i pra nuk do të duhej të ishte i heshtur e as përulur ndaj sulmit kidnapues që kishte edhe mandat të parandalonte. Nëse e shndërron këtë heshtje në normë, e njëfarë nënshtrimi të heshtur që dihet me ligj, atëherë një gjë të tillë le të na e thotë hapur, e do ta mohojë një përgjegjësi ndërkombëtare që ishte dashur të përmbushte efektivisht”, tha Kurti në Kuvend të enjten mbrëma.