Situata e përgjithshme e sigurisë në veri pak orë para zbatimit të marrëveshjes për letërnjoftime, është e qetë.
Rrugës nga Mitrovica për në Jarinje në disa lokacione janë të pozicionuar pjesëtarë të KFOR-it, ndërsa vërehet herë pas here edhe një helikopter i tyre duke vëzhguar situatën nga ajri.
Në kufi ka pak automjete duke qarkulluar nga të dyja anët dhe nuk pritet më shumë se pesë minuta.
Ajo që vlen të theksohet është se në kontejnerët nga pala serbe janë vendosur njoftime në gjuhën angleze dhe serbe në të cilat njoftohen qytetarët se pranimi i letërnjoftimeve të Kosovës që do të aplikohet nga mesnata nuk nënkupton pranimin e pavarësisë së Kosovës, por do të ndodhë për shkak të mundësisë së lëvizjes së lirë të qytetarëve.
Situatë e qetë dhe pa ndonjë problem po mbretëron edhe në drejtim të kufirit të Bërnjakut