KFOR-i do të zhvillojë stërvitjen “Golden Sabre” në Novosellë, ka një njoftim për banorët

Forcat e KFOR-it të udhëhequra nga NATO do të zhvillojnë stërvitjen “Golden Sabre” më 27 shtator në zonën stërvitore të Kampit në Novosellë.

Në njoftim, KFOR-i i ka njoftuar banorët e kësaj zone se mund të shohin një rritje të mjeteve ushtarake dhe civile të KFOR-it, teksa ka bërë të ditur se do të merren të gjitha masat e nevojshme për të zbutur çdo shqetësim që mund t’i shkaktohet popullatës.

“Stërvitja do të përfshijë staf nga KFOR-i dhe misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe do të vendoset në një kontekst të operacionit të reagimit emergjent, ku personeli i KFOR-it do të vazhdojë të operojë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, sipas Koncepti i “përgjigjes së parë, të dytë dhe të tretë””, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Po ashtu, në njoftim, KFOR-i ka thënë se do të vazhdojë të fokusohet në zbatimin e përditshëm të mandatit të tyre në mënyrë që të sigurojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, siç është mandatuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.

/Klankosova.tv