Nuk është ushtarak por e ka emrin e një ushtrie ndërkombëtare.
Emrin e rrallë si të tij zor se mund ta ketë dikush tjetër në Kosovë.
Është ky Kfor Gashi, i cili ka lindur më 8 qershor të vitit 1999 në Kosovë, vetëm pak ditë para se trupat e forcave paqeruajtëse të NATO-s të hynin për ta çliruar përfundimisht Kosovën.
22 vjeçari i cili aktualisht jeton me familjen në Eggenfelden afër Munchenit në Gjermani rrëfen për Klankosova.tv se si u bë që ai ta mbajë këtë emër unik.
“Unë kam lindur në Kosovë në kohën e luftës, disa ditë para se të hyjë në Kosovë KFOR-i. Në momentin e hyrjes familja ka qenë duke i shikuar lajmet. Aty i kanë parë ushtarët e KFOR-it me helikopterë dhe daja i babës ka thanë po ia lëmë emrin KFOR”.
“Në Kosovë kam jetuar deri kur u bëra dy vjeç e gjysmë, më pas erdha nga Kosova në Gjermani. Fillimisht ka ardhur babai pastaj edhe pjesa tjetër e familjes”.
Emri i misionit paqeruajtës të KFOR-it që e mban 22-vjeçari për shumëkë që e takon për herë të parë tingëllon tejet interesant.
Kfor Gashi tregon për Klankosova.tv. se si reagojnë njerëzit në situata të tilla.
“Reagimet janë shumë interesante. Kur ju tregoj se si e kam emrin të gjithë ndalen edhe më pyesin: “WOW, çfarë emri interesant. Kush ta ka lënë emrin? E kujt ishte ideja për ta lënë këtë emër? Në Gjermani e dinë më pak domethënien e emrit tim. Nejse, përpos mësuesve që e dinë se çka do të thotë KFOR, të tjerët e dinë më pak domethënien e emrit”.
Trupat e KFOR-it hynë në Kosovë më 12 qershor 1999.
Hyrjes së trupave të Aleancës Veri-Atlantike në vendin tonë i parapriu fushata e bombardimeve që nisi më 24 mars dhe zgjati 78 ditë.
Sivjet Kosova e festoi 22 vjetorin e çlirimit dhe 13 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.