Qytetarët në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë të enjten dhe të premten do të kenë mundësi që të mësojnë më shumë rreth liberalizmit të vizave.
Mendi Sejdiu, këshilltar politik i zv.kryeminsitrit Besnik Bislimi, tha se qëllimi i kësaj ngjarjeje është marrja e informacioneve të nevojshme për të kuptuar plotësisht të drejtat në lidhje me udhëtimin në zonën Shengen.
Sipas tij, liberalizimi i vizave ka edhe rregullat që duhet të respektohen, si të mos tejkalohen 90 ditë brenda 180 ditëve, të keni pasaportë valide, qëllim të udhëtimit, mjete të mjaftueshme financiare, e gjithashtu liberalizimi i vizave nuk do të thotë e drejtë pune apo studime.
Shkeljet e rregullave të liberalizimit të vizave, mund të çojnë në pasoja serioze, përfshirë gjoba financiare, shënim në pasaportën tuaj dhe ndalim të hyrjes në zonën Shengen për deri në 5 vjet.
Nga data 1 janar 2024, qytetarët do të gëzojnë lirinë e udhëtimit pa viza në zonën Shengen.