Nëna e Faton Hajrizit, Shehrije Mustafa, ka bërë një postim prekës për të, derisa ka falënderuar të gjithë ata që i shkuan për ngushëllime.
Postimin e ka nisur duke thënë se e pamja mori fund, por jo edhe dhimbja.
“Faton, këto ditë nana nuk ka derdhë lot për ty. Veç zemra ka lotu. Kam desht me të përcjellë siç duhet në varr. Tash kam kohë m’u merzitë për ty e me kujtu kohën që kam kalu pa ty. Tash e kam një vend ku mund të vi të takoj, të flas me ty për shumë gjëra që mbetëm pa i thënë. Varri yt në Klinë, do të jetë vendtakimi jonë”, ka shkruar ajo.
Ajo ka shkruar se ardhja e njerëzve për ngushëllime, u ka lehtësuar dhimbjen.
“Ne si prind kemi humbur një djal, por kemi kuptuar se ai ka qenë i të gjithëve. Pjesëmarrja e mijëra njerëzve në varrimin e Fatonit nga gjithë Kosova, Shqipnija, Maqedonia e Presheva na ka ba me kuptu sa shumë e keni dashtë djalin tonë. Ardhja për ngushëllime na ka lehtësu dhimbjen e madhe që e kemi. FALEMINDERIT mijëra herë për mijëra njerëz që nuk na lanë vetëm në këto ditë të rana për ne”, ka shkruar ajo