Policia e Kosovës ka zhvilluar të martën dy aksione në rajonin e Prishtinës, që kishin cak dy persona që dyshohet se janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, duke kryer vjedhje të rënda në shtetin e Austrisë. Arrestimi i tyre erdhi si rezultat i bashkëpunimit mes autoriteteve kosovare dhe atyre austriake, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se dy personat e arrestuar janë Ilir Vrajolli dhe Labinot Vrajolli, teksa hetuesit janë në kërkim të personit të tretë të dyshuar i cili tash më është i identifikua dhe bëhet fjalë për Azem Avdilin.
Tre kosovarët që kërkoheshin me urdhër ndërkombëtar dyshohet se kanë kryer një seri të veprave penale të vjedhjeve të rënda në Republikën e Austrisë, në periudhën kohore nga dhjetori i vitit të kaluar deri në janar të këtij viti.
Policia ka njoftuar dje se pjesë e aksioneve ka qenë edhe kontrolli i katër lokacioneve, ku nga hetuesit policorë janë gjetur dhe sekuestruar stoli ari, 156 fishekë dhe 2 automjete.
“Personat e dyshuar pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërkohë që hetuesit janë në kërkim të personit të tretë të dyshuar i cili tash më është i identifikuar”, thuhet në njoftim.