Një konflikt që nisi pas një debati mes disa palëve te Ura e Brekocit në Gjakovë eskaloi të enjten në përleshje fizike. Gazeta Sinjali raportoi se pesë personat e dyshuar përfunduan në pranga të Policisë dhe ndaj tyre është urdhëruar masa e ndalimit policor.
Motivi i rastit tashmë është zbuluar, e po ashtu edhe emrat e të dyshuarve.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personat e arrestuar për këtë rast janë Anton Simonaj, Valon Krasniqi, Liman Gjokaj, Granit Imeri dhe Tomë Karaqi.
Motivi i rastit dyshohet se lidhet me një konflikt mes tyre për shkak të tregtisë që zhvillojnë, mosmarrëveshje kjo që eskaloi në përleshje fizike.
Siç thonë të njëjtat burime, njëri prej të dyshuarve, e ka repetuar armën e zjarrit dhe me të e ka goditur njërin prej të dyshuarve, por nuk e ka shkrepur.
Lajmi tashmë është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Gjakovë, me ç’rast është bërë e ditur se të dyshuarit janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.
“Pesë persona meshkuj kosovar të moshës madhore janë arrestuar pasi të njëjtit ishin përfshirë në një përleshje fizike rreth orës 15 e 50 në rrugën “Martirët e Kombit” në Gjakovë. Policia tek njëri nga të dyshuarit ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë dhe trembëdhjetë fishekë, ndërsa tek një i dyshuar tjetër një shufër metalike. Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit me vendimin e të cilit të gjithë të dyshuarit janë ndalur në mbajtje.”
Shënim: Personat apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.