Rasti i dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, u bë shkak që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, të japë dorëheqje nga pozita e tij. Si pasojë e kësaj, Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur konkurs për drejtorin e ri, i cili pritet të emërohet shumë shpejt nga kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Sinjali mëson ekskluzivisht se në konkursin i cili është mbyllur me 21 shtator, kanë aplikuar pesë kandidatë, të cilët janë Bahri Shala, Gazmend Hoxha, Fatos haziri, Florie Hajra, Granit Fetahu dhe Sllagjana Stojanoviq.
Nga Zyra për Media e MPB-së kanë bërë të ditur se intervistimi dhe përzgjedhja e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës do të bëhet konform legjislacionit përkatës në fuqi.
Po ashtu ata thonë se janë duke pritur edhe për aplikimet e mundshme me postë.
Kush janë kandidatët të cilët kanë aplikuar për drejtor të Policisë?
Bahri Shala i cili ka gradën nënkolonel, është drejtor i Forenzikës, ndërsa kandidati tjetër, Gazmend Hoxha po ashtu nënkolonel, është drejtor i Departamentit për Operacione.
E gradën nënkolonel e mbajnë edhe Fatos Haziri, i cili është drejtor i Trajnimeve, Granit Fetahu që është drejtor i Ruajtjes së Objekteve me Rëndësi të Veçantë dhe Sllagjana Stojanoviq e cila është shefe e Sektorit të Administratës në Mitrovicën e Jugut.
Për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë ka aplikuar edhe kolonelja e cila është drejtoreshë e Krimit të Organizuar, Florie Hajra.