Rasti i kërcënimit të pjesëtarëve të KFOR-it në Prizren ka kaluar nga Prokuroria Themelore në Prizren në dorë të Prokurorisë Speciale. Sinjali ka raportuar ekskluzivisht se dy të dyshuarit janë kapur nga Policia dhe tashmë ndaj tyre është ushtruar kërkesa për masën e sigurisë dhe është mbajtur seanca në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.
Të ndaluarit për këtë rast Ahmet Krasniqi dhe Izijet Halilaj, po dyshohen se kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i Personelit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe i Personelit në marrëdhënie me to”.
Departamenti Special i gjykatës ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale, duke e aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji.
Lajmin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
“Të pandehurit A.K dhe I.H dyshohen se në bashkëkryerje me datë 26.02.2024 rreth orës 10:00 në një kafiteri në fshatin Lubiqevë, në Komunën e Prizrenit, kishin ofenduar dhe pastaj kishin kanosur seriozisht pjesëtarët e KFOR-it Italian se do ti vrasin, e të cilët janë në mision paqeruajtës në Kosovë me mandat të OKB-së dhe duke marr për bazë faktin se vepra penale për të cilën dyshohen ka ndodhur ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, të cilët veprojnë në Kosovë për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt, si dhe për lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës, andaj ekziston rreziku real se me qëndrimin e tyre në liri, të njëjtit mund të përsërisin veprën penale apo të përfundojnë veprën e kanosur dhe sipas vlerësimit të gjykatës caktimi i paraburgimit ndaj të pandehurve në këtë fazë të procedurës penale është më se i arsyeshëm dhe i domosdoshëm për zbatim me sukses dhe efektiv të kësaj procedure penale dhe sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.”