Shërbimet publike, arsimi dhe kultura mbeten tri fushat me premtimet më të mëdha të dhëna nga 27 kryetarët e komunave për mandatin qeverisës 2021-2025.
Derisa kryetarët e komunave dhanë 1819 premtime, numrin më të madh të tyre për mandatin e qeverisës 2021-2025 ka dhënë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, me 206 premtime. Pasuar nga kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza me 123 premtime. Në vendin e tretë është kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni me 109 premtime
Kurse, me numër më të vogël të premtimeve prej të gjithë kryetarëve aktualë të komunave është kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, me 19 premtime.
Kështu ka thënë Bekim Salihu analist politikash në Institutin GAP në një konferencë për media.
Salihu theksoi se përmes vlerësimit të premtimeve zgjedhore, Instituti GAP ka për qëllim që t’i mbajë përgjegjës kryetarët e zgjedhur për premtimet e dhëna.
“Nga 27 kryetar komunash, Instituti GAP, për mandatin 2021-2025 ka evidentuar 1 mijë e 819 premtime të dhëna para qytetarëve. Numri më i madh I premtimeve të dhëna I takon fushës së shërbimeve publike me gjithsej 380 premtime, pastaj vije fusha e arsimit me 275 premtime. Dhe në këtë mandat, fusha e kulturës ka më shumë premtime se sa fusha e infrastrukturës. Në fushën e kulturës janë dhënë 201 premtime, ndërkaq në atë të infrastrukturës janë dhënë 198 premtime. Në fushën e ekonomisë kemi dhëna nga ana e kryetarëve të komunave 175 premtime konkrete. Për dallim nga mandati 2017-2021, në mandatin 2021-2025 fusha e shëndetësisë ka zënë hapësirë të rëndësishme tek premtimet kandidatëve për kryetar. Në mandatin e kaluar kanë qenë 51 premtime në fushën e shëndetësisë, ndërkaq kësaj here numri i premtimeve është 134 nga gjithsej 27 kryetar komunave. Fusha ku më së paku janë dhënë premtime është fusha e urbanizimit”, theksoi Salihu.
Sa i përket numrit të madh të premtimeve nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, Salihu theksoi se premtime të dhëna nga Rama, janë të vështira për t’u realizuar, por siç theksoi ai janë të matshme.
“Numrin më të madh të premtimeve kryetari aktual i Prishtinës, 206 premtime. Një pesë të madhe të këtyre shërbimeve e ka në fushën e shërbimeve publike dhe në atë të infrastrukturës, çka flet që këto dy fusha janë të vështira për t’u punuar dhe për t’u përmbushur. Mirëpo, natyrisht premtimet që janë dhënë janë të matshme dhe ne do të bëjmë monitorim dhe vlerësim nëse të njëjtat po përmbushën ose jo në afatin katër vjeçar në formë periodike”, theksoi ai.
Analisti i politikave në Institutin GAP, Salihu tutje ka thënë se ky institut ka evidentuar dy raste kur kryetarët kanë ndryshuar programin elektoral me atë që kanë paraqitur pas përfundimit të zgjedhjeve.
“Vlen të ceket fakti që për dallim nga herët e kaluara, Instituti GAP kësaj here ka evidentuar dy raste kur kryetarët e komunave e kanë ndryshuar programin elektoral, atë që e kanë prezantuar gjatë zgjedhjeve dhe atë që e kanë paraqitur pas përfundimit të tyre… (10’37) Ne jemi duke u konsultuar akoma çështjet teknike në lidhje me këto probleme he nuk kishim dashur që të përmendim emra përkatës. Por me saktësi e themi që në dy raste, GAP, ka evidentuar përpjekjen e dy kryetarëve të komunave për të ndryshuar programin elektoral me qëllim që ta zvogëlojnë numrin e premtimeve që kanë dhënë para qytetarëve”, tha ai.
Salihu duke krahasuar periudhën paraprake, theksoi se në mandatin 2017-2021 kanë qenë 913 premtime nga kryetarët e komunave dhe janë përmbushur 51 për qind e tyre.