Me 15 Mars qytetarët e Podujevës pritet tu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur të parin e kësaj komune.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme vijnë pas dorëheqjes së kryetarit Agim Veliu i cili tashmë është bërë pjesë e ekzekutivit duke drejtuar Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Po cilët pritet të jenë kandidatët potencialë për kryetar të kësaj komune nga subjektet politike ?
Gazeta Blic nga burime të saj brenda Lidhjes Demokratike merr vesh se kandidati potencial për kryetar të Podujevës nga ky subjekt pritet të jetë doktori Ekrem Hyseni.
Hyseni arriti të marrë mandatin e deputetit në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.
Ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje mësohet se kandidati i mundshëm për kryetar të Podujevës është Shpejtim Bulliqi.
Gazeta Blic ka provuar të marrë një deklaratë nga Bulliqi por i njëjti nuk ka qenë i qasshsëm në thirrjet e redaksisë.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë theksuar se akoma nuk është marrë një vendim përfundimtar se kush do të jetë kandidat i Podujevës nga kjo parti.
Nënkryetarja e këtij subjekti Teuta Haxhiu ka thënë se deri tani nuk janë mbledhur organet e partisë në lidhje me caktimin e kandidatit për kryetar komune.
“Ende nuk jemi mbledhur si organe të partisë nuk jam në dijeni ende për emrin e kandidatit. Sigurisht që do të mblidhemi dhe do të shohim kë do ta qesim por aktualisht nuk kam ndonjë informatë” tha shkurt Haxhiu.
Edhe partitë e tjera politike akoma nuk kanë dalë me emra konkretë se me cilët kandidatë do të përfaqësohen në zgjedhjet e parakohshme në Podujevë
Agim Veliu që ka drejtuar ketë komunë për rreth tri mandate, është bërë ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës në Qeverinë e re.
Kujtojmë se post ka shkaktuar përplasje të shumta mes dy partnerëve qeverisës LDK dhe LVV pasi nga kjo e fundit ishte premtuar reformë e thellë në këtë institucion .
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë komunë duhet të organizohen brenda 45 ditëve.