Dy anëtarë nga familja Gashi dhe Daka kanë mbetur të plagosur me armë zjarri sot, në qendër të qytetit të Klinës, pas një ngatërrese që u shkaktua për motive ende të panjohura. Të lënduarit që pësuan plagë nga përdorimi i armës janë dërguar në spital për trajtim, ndërkohë që hetimet nga Policia kanë nisur për së paku gjashtë persona të dyshuar.
Të plagosurit dhe familjarët e tyre të cilët janë arrestuar nga Policia deri më tani janë:
Fitim Gashi (31-vjeçar) dhe babai i tij, Zafer Gashi (56-vjeçar),
Rasim Daka (65-vjeçar), Etrur Daka (25-vjeçar) dhe Maliq Daka (67-vjeçar),
Veton Puka.
Zaferi, bashkë me djalin e tij Fitimin, tre anëtarët e familjes Daka, si dhe Veton Pukën po dyshohen se janë të përfshirë në këtë rast.
Burimet thonë se në këtë përleshje u përdorën armë nga Fitim Gashi dhe Rasim Daka, ndërsa të dyshuarit e tjerë janë përfshirë në rrahje.
Sipas burimeve brenda spitalit, Fitimi ka pësuar plagë në këmbë, ndërsa Rasimi është plagosur në bel, teksa Maliq Daka ka dëmtuar disa dhëmbë gjatë përleshjes.
Njësia policore që ka intervenuar në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe sekuestruar një sprej dhe një brisk, kurse hetimet kanë nisur për veprat penale “vrasje në tentativë dhe pjesëmarrje në rrahje”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.