KËSHILLTARJA E VUÇIQIT: SHËRBIMET TONA SEKRETE E ZBULUAN SE KOSOVA DO TA VENDOSË PIKËN 10 NË MARRËVESHJE

Këshilltarja për media e presidentit serb, Suzana Vasileviq, i tha TV Prva të Beogradit se “shërbimet tona kishin informacione se Prishtina do të do të vendosë në dokument (të Uashingtonit) pikën 10, me të cilën kërkohej njohja e Kosovës nga Serbia.
Ajo ka rikujtuar se delegacioni i Kosovës para se të nisej për në Uashington kishte deklaruar se do të kërkojë njohjen e Kosovës. “Shërbimi ynë Informativ kishte marrë paralajmërimin se ajo pikë do të figurojë në dokument” ka treguar ajo.

Pastaj president serb, Aleksandar Vuçiq për këtë ua kishte tërhequr vërejtjen përmes telefonit disa liderëve të BE-së dhe ishte përpjekur t’ua shpjegojë se kjo pikë do të jetë në dokument. Ata, siç ka thënë Vasileviqja, kishin pohuar se nuk do të ketë dhe se do të bëhet fjalë vetëm për ekonominë.

Edhe vetë i dërguari special i presidentit amerikan, Richard Grenell kishte paralajmëruar se delegacionit serb do të mund t’i përgatitej befasi.

“Në fund e keni parë se ishte kjo pikë” ka thënë këshilltarja e presidentit Vuçiq.

“Nga momenti kur (presidenti) e ka parë këtë pikë, për Aleksandar Vuçiqin nuk ka pasur më bisedime… Ai gjatë darkës as që ka lëshuar zë”, sipas Vasileviqes. Ai kishte thënë se nuk do të vazhdonte bisedimet nëse nuk hiqej kjo pikë.

Pas kësaj ishte bërë një pauzë gati dy orë dhe kur kishte vazhduar biseda kjo pikë nuk ishte më, ka sqaruar ajo.

Pastaj, siç ka thënë ajo, dolën probleme për delegacionin e Kosovës, që ajo e quan “delegacion i Prishtinës”, meqë kishin mbetur pa pikën 10, e pastaj edhe për shkak të liqenit të Ujmanit dhe emrit “Republika e Kosovës”, transmeton Koha.net.