Besnik Berisha, këshilltari për çështje të drejtësisë i kryeministrit Isa Mustafa, është zyrtari më i pasur në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Berisha, i cili me profesion është avokat, ka një pasuri marrëmendëse, e cila arrinë vlerën e përgjithshme prej rreth 17 milionë euro.
Në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit avokati Berisha ka deklaruar pasuri të patundshme në vlerë prej rreth 14 milionë euro, të cilën pasuri e ka bërë pas vitit 2000.
Përveç patundshmërive milionëshe, Berisha ka deklaruar mbi 1.2 milionë euro para të gatshme në bankat komerciale në vendit, si dhe tri vetura në vlerë prej mbi 75 mijë euro, raporton INFOKUSI.
Përpos pagës së deklaruar nga zyra e kryeministrit prej rreth 7000 euro në vit, Berisha është pronar edhe i disa bizneseve.
Nga kompania e sigurimit ‘Balkan International’, Berisha ka raportuar të hyra vjetore në vlerë prej rreth 300 mijë euro, nga kompania tjetër ‘KSF KS Guards’ ai ka deklaruar mbi 20 mijë euro të hyra, të hyrat vjetore nga avokatura ‘ Besnik R. Berisha’ ka deklaruar rreth 22 mijë euro të hyra dhe 7800 euro në vit i merr qira vjetore nga një antenë e operatorit ‘Vala’.