Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com, Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Mbledhja e këtij këshilli pritet të mbahet sonte nga ora 19:00.
Në këtë mbledhje pritet të diskutohet për sigurinë në vend. Krejt kjo vjen pas krizës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Ukraina ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë territorin e saj, përveç rajoneve Donetsk dhe Luhansk ku gjendja emergjente është e vendosur nga viti 2014. Separatistët pro-rusë kanë kontrolluar pjesë të Donetskut dhe Luhanskut që nga viti 2014.
Rusia i njohu ato si shtete të pavarura dhe miratoi dërgimin e trupave të saj atje gjatë kësaj jave.
Ukraina po përballet me atë që Perëndimi thotë se është kërcënimi i një pushtimi të afërt në shkallë të plotë nga Rusia.
Të martën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Qeveria e Kosoves mbështet sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Për shkak të zhvillimeve në Ukrainë, deputetët në Kosovë kërkuan që të mblidhen institucionet e sigurisë.