Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se ka marrë në pyetje Millan Radoiçiqin, i cili mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë.
Në njoftim thuhet se ai u intervistua nën dyshimet se me disa persona të panjohur kanë kryer vepra penale që lidhen me “prodhim, mbajtje dhe trafikim pa leje të armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse” si dhe me “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.
Në deklaratën e Prokurorisë thuhet se i dyshuari e ka mohuar kryerjen e veprave të përmendura penale.
Shtohet se pas seancës dëgjimore, Prokuroria i propozoi gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd që të caktojë masën e paraburgimit për të dyshuarin, për shkak të rrezikut të arratisjes.