Vonesat në zbatimin e pakove në ndihmë të bizneseve të dëmtuara nga pandemia, si dhe masat ad-hoc të Qeverisë, po kritikohen nga përfaqësuesit e bizneseve.
Oda e Hotelerisë dhe Turizmit ka kërkuar nga Qeveria që t’i lirojë nga pagesa e tatimeve për vitin e kaluar bizneset, që sipas saj, kanë qenë të mbyllura që nga marsi.
Kryetari i këtij institucioni, Hysen Sogojeva, ka kërkuar po ashtu që të bëhet shpërndarja e mjeteve nga Ligji për rimëkëmbje ekonomike, si dhe të hiqet interesi bankar pas stopimit të kredive.
“Sa më vonë që të shtyhet implementimi i këtij ligji te bizneset, është shumë keq për bizneset sepse bizneset e kanë vështirë të ringjallen, ne nëse mund t’i zëmë ato biznese që s’kanë rënë do të ishte mirë”, ka thënë ai.
Sipas tij, duke pasur parasysh zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe masat që janë ndërmarrë, siç ka thënë nganjëherë të panevojshme, del se mbi 80 për qind e bizneseve të hotelerisë janë dëmtuar.
“Sa më shumë që të presim te shpërndarja e mjeteve dëmeve janë më të mëdha. Edhe me këtë ligj, ne si Odë nuk jemi pajtuar plotësisht, por me këto mjete që nuk janë avancuese aspak për të ringjallur mirë, për të ditur se këta do të punojnë si në vitet paraprake, atëherë mbi 1 miliardë është dashur të ndahen, sepse duhet më shumë për këtë veprimtari, përndryshe është veprimtaria më e atakuar”, ka theksuar ai.
Por, ka kërkuar që me Ligjin e Rimëkëmbjes ato mjete të cilat ndahen, të mos ndahen për ato veprimtari të cilat kanë punuar dhe nuk e kanë vërejtur pandeminë.
Ka paralajmëruar se do të marrin masa, nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre.
“Të premten e kemi mbledhjen e kryesisë dhe javën tjetër do të kemi protesta dhe e fundit është që do të apelojmë që të mos njohim ato masa”, ka pohuar ai.
Sektori i hoteleve dhe restoranteve del të jetë më i godituri nga pandemia. Të dhënat e fundit të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) bëjnë të ditur se ky sektor pati një rënie prej 39 për qind të aktivitetit ekonomik.
Pas saj, radhitet ndërtimtaria, transporti dhe magazinimi, aktivitetet administrative dhe mbështetëse, si dhe tregtia.
Megjithatë, përkundër dëmeve të shumta, përfaqësues të tyre thonë se nuk kanë pasur mbështetje të mjaftueshme nga Qeveria.
Ndërkohë, buxheti për vitin 2021 parasheh vetëm 86 milionë euro për mbështetje të bizneseve dhe qytetarëve të dëmtuar nga pandemia.