Anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, e kanë quajtur diskriminuese përjashtimin nga shkollat për vajzat që bartin mbulesë.
I ftuar ishte ministri i Arsimit, Ramë Likaj, nga i cili u kërkua që të hiqet udhëzimi administrativ që ndalon bartjen e mbulesës në shkolla.
Kryetarja e Komisionit Duda Balje, tha se ministri i Arsimit ka kompetencë për të lejuar vajzat që bartin mbulesën në shkolla.
Ndërsa, anëtarja e Komisionit, Besa Ismaili ka pyetur ministrin Likaj, se në bazë të cilit ligji po u ndalohet vajzave me shami shkollimi. Ajo po ashtu ka thënë se edhe brenda ministrisë së Arsimit ka lajthitje për këtë çështje.
“Brenda ministrisë së Arsimit ka lajthitje sa i përket politikave thotë Ismajli. Përfaqësuesi ligjor i MASHT-it e mohon se udhëzimi administrativ flet për shaminë. Në kemi të drejtë të dimë cili është pozicioni juridik që ka marrë kjo ministri. Këto vajza qe nuk kanë shkuar në shkollë a ka pasur Ministria ndonjë program tjetër t’iu ofrojë ndonjë arsimin ndryshe”, ka thënë Ismaili.
Ndërsa, ministri Likaj ka thënë se Kosova është shtet laik. Ai thotë se për çështjen e bartjes së mbulesës në shkolla ka kërkuar interpretim edhe nga Avokati i Popullit.
“Unë kam kërkuar edhe mendim të zyrës së Avokatit të Popullit. Unë vetë jam besimtar, por se praktikoj, por urdhëresa administrative e ministrit është bazuar në ligjin për arsimin profesional”.
Sipas Likajt, liria e festimit të fesë mund të kufizohet me ligj, sipas interpretimit të Avokatit të Popullit.
“Bazuar në Gjykatën Kushtetuese si dhe bazuar në Gjykatën Evropiane kufizimi i lirisë fetare në bartjen e shamisë bëhet me qëllim të pajtimit të interesave të ndryshme, ku bartja e shamisë mund të ketë efekt në imponimin e saj”, cituar Likaj interpretimin e Avokatit të Popullit.
Saranda Bogujevci tha se s’është duke kuptuar kodin e mirësjelljes sa i përket mbulesës.
Ndërsa Teuta Haxhiu i tha ministrit Likaj se ka bërë shkelje. E drejta e secilit është për t’u arsimua në këtë vend.
“Më mirë të kemi këto vajza në shkolla sesa në Siri”, tha Haxhiu