Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, si dhe kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala kanë vlerësuar se gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, është i tepërt dhe se duhet të zbuten masat ndaj tyre.
Jashari për EO ka thënë se kjo gjykatë është kundërshtuar nga OVL-ja.
“Ne si organizata të dala nga lufta e kemi kundërshtuar një gjykatë të tillë, kemi protestuar sepse e kemi ditur që është një gjykatë e padrejtë, politike dhe e cila bashkëpunon me Prokurorinë e Serbisë dhe me njerëz të shitur, që ta dëmtojnë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E kemi thënë edhe atëherë që ka qenë gabim i madh votimi i gjykatës ku e kualifikon UÇK-në si një organizatë e përbashkët kriminale. Ata ishin në gjendje të japin edhe jetën e tyre që të sjellin lirinë popullit të Kosovës. Sot po preket në përmasa të luftës së UÇK-së, përmasa e kësaj lufte është kombëtare dhe e gjithë kjo është me sajim”, ka deklaruar Jashari.
Jashari ka potencuar se kjo gjykatë është krijuar mbi raportin e Dick Marty, edhe pse sipas tij, në këtë raport nuk është gjetur asnjë shpifje dhe është bërë e njëanshme me qëllime politike.
“Kjo gjykatë është krijuar mbi raportin e Dick Marty ku deri më tani nuk është gjetur asgjë në shpifjet e këtij raporti dhe përveç nesh- qytetarët, por edhe institucionet është dashur të kërkohet sqarim se pse është sajuar ai raport, ku e fyen luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së. Ne besojmë në pafajësinë e çlirimtarëve që janë atje, ata do të kthehen faqebardhë, por e gjithë tendenca është që të njolloset dhe të barazohet lufta e pastër dhe e drejtë e UÇK-së, gjë e cila nuk do të ndodh kurrë. I ftoj që ta ndërpresin këtë fushatë se është krijuar për shpifje dhe qëllime politike, është e njëanshme dhe mendoj që si e tillë do të dështojnë si proces, por na dhimbsen ata që i duhet më së shumti vendit, që luftuan dhe e krijuan shtetin më të ri Kosovën”, ka potencuar kryetari Jashari.
Me optimizëm, Jashari deklaroi se ata do të lirohen nga kjo ‘aktakuzë famëkeqe’ dhe të vijnë faqebardhë në shtetin e tyre.
Aktakuzën e katër krerëve të UÇK-së, ai e quan ‘aktakuzë famëkeqe për njollosjen e luftës së pastër dhe të drejtë të Kosovës’.
”Ata do të lirohen dhe të vijnë faqebardhë dhe do ta japin kontributin e tyre edhe në familje edhe në ecjen e mëtutjeshme të shtetit, atdheut dhe kombit. Qëllimi i kësaj gjykate është që ta godasë luftën e lavdishme të UÇK-së dhe sigurisht deputetët në atë kohë nuk i kanë lexuar ligjet e dhomave të specializuar brenda kësaj aktakuze famëkeqe që e njollos dhe bënë përpjekje ta dëmtojë luftën e pastër. Të gjithë ata që kanë bërë diçka qoftë gjatë luftës, janë brenda kësaj aktakuzë dhe duhet të bëjmë reagimin tonë nëse ndodh që të dënohen krerët, e them me shpirt le t’i hapin burgjet dhe nëse janë fajtor që po mbahet padrejtësisht atje, secili që ka bërë diçka për liri duhet të shkojmë të gjithë në burg”, ka shtuar ai.
Kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, për EO ka thënë se qëndrimi i tyre ende në Hagë është i tepër. Sipas tij, pas katër vjetësh duhet të kalohet në masa më të buta.