Katër anije minakërkuese të NATO-s kanë kryer një kontroll në zonën detare ku do të ngrihet porti i ri i Durrësit dhe baza detare e NATO-s.
Pasi kanë kryer stërvitjen në ujërat e Mesdheut dhe kontrollin në ujërat e Spitallë- Porto Romanos, anijet minakërkuese janë ankoruar në portin detar të Durrësit. Janë dy anije turke, një anije holandeze dhe një italiane.
Në ujërat e Porto Romanos përveç kontrollit me pajisje të teknologjisë së lartë ushtarake janë përdorur dhe polumbarët e flotës.
Burime portuale bëjnë me dije për Top Channel se nga kontrolli i ushtruar, veçanërisht në dy pika që konsideroheshin me risk, zona ka rezultuar e pastër. Pritet që një raport i plotë me gjetjet t’i dorëzohet autoriteteve shqiptare.
Anijet luftarake të angazhuara prej më shumë se një muaji në stërvitjen në Mesdhe dhe në kontrollin e hapësirës detare ku do të ndërtohet porti dhe baza detare e NATO-s janë “TCG YZB Gungor Dormus (A274) dhe “TCG ENEZ” (M 262), të dyja me flamur turk, si dhe ITS NUMANA (M5457) me flamur italian dhe “HNLMS MAKKUM” (857) me flamur hollandez.