Aksidentet gjatë muajit janar të vitit 2024, shënojnë në ulje krahasuar me vitin 2023. Në një përgjigje nga Policia e Kosovës, bën të ditur se në janar të këtij viti, katër persona kanë vdekur si pasojë e aksidenteve, ndërsa vitin e kaluar pesë persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidentit.
Krahasuar me periudhën e njëjtët të vitit të kaluar, viti 2024 është më mirë edhe sa i përket aksidenteve me lëndime, ku gjatë 2023 ishin 621 në total, ndërsa në janar të këtij viti ishin 543 aksidente me të lënduar.
Por këto statistika po shihen me shqetësim të lartë nga njohësi i komunikacionit, Bekim Ahmeti. Ai për Ekonomia Online thotë se ndër shkaktarët kryesor për numrin e madh të aksidenteve, është mosrespektimi i shenjave të trafikut.
“Ka shumë faktorë sidomos prej tyre është mosrespektimi i shpejtësisë së lëvizjes me shenjë edhe mos respektimi i shenjave tjera, paaftësia për ngasje, temperamenti e lloje tjera në komunikacion, po krejt kjo po ndodh nga mos respektimi i shpejtësisë, së lëvizjes sepse po të ishte respektuar ajo atëherë automjeti ndalohet para vend rrezikut si ishte rasti ku është dëmtuar semafori me një shpejtësi që nuk dëmtohet lehtë dhe patëm për pasojë vdekjen e një qytetari e që është tragjike”, thotë Ahmeti.
Ai ka kërkuar që në rrugë të ndryshme në vend të vendosen kamera statike, në mënyrë që të ulet ndjeshëm numri i aksidenteve. Ai merr si shembull një praktikë të tillë në vendet perëndimore.
“Diku 80 për qind e rregullave nuk respektohen në Kosovë e 20 për qind po. Këtu funksionon një parullë e vjetër ‘ta bajt fytyra bëje, e s’ta bajti e lë’. Çka duhet të bëhet është të vendosen kamera, radar mobil e statik, e pastaj e shihni se çka do ndodh me ngasësit. Ne e dimë sa hyjnë në dritën e kuqe, sa e respektojnë shpejtësinë dhe është më e lehtë për ekspertin me marr vendim deri tek vlerësimi i gjendjes se çka ka ndodh. Imagjinojeni me ua largu Evropës radarët mobil bëhet kaos, na nuk i kemi fare”, deklaroi ai.
E vendimin e ri të Ministrisë së Infrastrukturës për t’i rritur dënimet, nuk i sheh si zgjidhje, pasi vonesat nga institucionet e drejtësisë po jenë të mëdha.
“Nuk është problemi me e ngrit ne çmimin e dënimit mirëpo Gjykata dhe Prokuroria mos me i vonua dënimet. E dërgon polici tek gjykatat të kthehen shpejt sepse lënda po vjetrohet dhe kur vjetrohet nuk merret aq për bazë. Unë kisha menduar që të bëhet një dikaster i veçantë për aksidentet në komunikacion dhe gjoba, dhe kështu nuk vonohet gjoba, e si rezultat e kemi një shpejtësi më të madhe. Do ndryshoja që çdo person që dyfishon shpejtësinë e lëvizjes, shembull 50 ai shkon në 100 ose hyn në dritën e kuqe me qëllim, me arsye të veta atëherë do e bëja me heqje lirie”, u shpreh ai.