Karabinieri italian, Fabio Cervelleri, u shndërrua në humanist, gjatë kohës kur shërbeu me mision në Mitrovicë.
Ai ia mundësoi një vajze 4 vjeçare të marrë trajtim mjekësor kundër diabetit, në poliklinikën Umberto i Parë në Romë.
Atë e takoi përmes një miku kosovar që dinte italisht. Polici tregoi se qysh në kontaktin e parë, u bind se e vogla ka nevojë urgjente për trajtim. Teksa udhëtimi ndodhi muajin e kaluar.
“Asja ishte e zbardhur dhe dukej se kishte probleme me shëndetin. Ne i ndihmuam duke i blerë insulinë menjëherë, dhe përmes Carabinierit në Prishtinë, me donacion vullnetar, i blemë më shumë insulinë. Më vonë përmes një shoqate, mundësuam trajtimin në Itali”, rrëfeu Cervelleri për Klan Kosova.
Nëna e 4 vjeçares, Miradije Brahimi, konfirmoi se tashmë italianët ia kanë siguruar të bijës insulinën për një vit. Sipas saj, kjo është më e mira që mund t’i ketë ndodhur, pasi në Kosovë ka pasur mungesë.
Lidhja mes karabinierit dhe familjes Brahimi tashmë është bërë shumë e fortë.
Edhe pse tani nuk gjendet në Mitrovicë, Cervelleri thotë se vazhdon të interesohet për vogëlushen.
“Ne flasim shpesh me të dhe familjen, dhe sigurohemi që ata t’i kenë gjërat e nevojshme”, thotë karabinieri.
Sipas këtyre, ky rast dëshmon se raporti mes kosovarëve e italianëve është përtej misioneve shtetërore.