Millan Radojiçiq mbrëmjen e kaluar është arratisur në pikën kufitare Bërnjak.
Arratisja e tij nuk u incizua pasi kamerat e vendosura në disa pika të ndryshme në kufirin në Bërnjak nuk funksiononin.
Për këtë çështje, hetime ka urdhëruar edhe prokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Rasim Maloku.
Ky i fundit para disa ditësh ka vendosur në “stop-listë”, Radojiçiqin për rastin “Brezovica”.
Millan Radojiçiq u ka ikur policëve të Kosovës në pikën kufitare të Bërnjakut në kohën kur ai kishte tentuar të futej në Kosovë.
Pasi i kishte dorëzuar dokumentet te zyrtarët e Policisë Kufitare, Radojiçiq ishte urdhëruar të parkonte veturën pasi ishte kuptuar se ai gjendej në “Stop listë”.
Burime të KALLXO.com thanë se Radojiçiq në këtë moment ishte arratisur drejt territorit të Serbisë, duke i lënë dokumentet te zyrtarët kufitarë të Kosovës.
Millan Radojiçiq ishte futur në “Stop listë“ nga Prokuroria e Ferizajt, me autorizim të prokurorit Rasim Maloku në lidhje me rastin “Brezovica”.
Pra, rasti nuk ka të bëjë me hetimet për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Prokurori Maloku ka thënë për KALLXO.com mbrëmë se ka urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) që të merret me rrethanat e ikjes së Radojiçiqit dhe për mosfunksionimin e kamerave në pikën kufitare.
Millan Radojiçiqit i kanë mbetur dokumentet në pikën kufitare pasi ai është arratisur në sytë e tre ose katër policëve të Kosovës.