Më 18 maj 2020, do të filloj faza e dytë e lirimit të masave nga Qeveria e Kosovës. Kjo do të thotë hapje më të madhe të ekonomisë dhe rrjedhimisht edhe lëvizje të shtuar të qytetarëve.
Nga nesër parashihet edhe hapja e sektorit të gastronomisë, ku pronaret e kafiterive kanë dalë sot që të përgatiten për rihapje pas dy muaj izolim.
Qytetarët nga nesër mund të marrin me vete porositë, pasi ende nuk lejohet qëndrimi brenda objekteve, kjo si shkak i parandalimit të përhapjes së Covid-19. Sot, po ashtu është parë një numër i madh i njerëzve të cilët kanë dalë në sheshet e Prishtinës, madje ata kanë zgjedhur sheshet për të ngasur biçikletat.
Edhe pse rastet e prekura me Coronavirus po shtohen në ditët e fundit nga nesër do të lejohet dalja dy herë në ditë nga dy orë, sipas shifrës së parafundit në numrin personal të letërnjoftimit. Përndryshe, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se nëse nuk respektohen këto masa do t’i rikthejnë masat rigoroze sepse rrezikohet rikthimi i valës se pandemisë së virusit Corona.
Në Kosovë janë testuar gjithsej 11.585 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 978 raste, me gjithsej 29 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është 713 raste.
Këto janë bizneset që do të rihapen nesër:
1. Floktarët dhe sallonet e ondulimit
2. Stomatologët dhe fizioterapeutët
3. Tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër
4. Gastronomia (merre-me-vete, take away)
5. Transporti hekurudhor
6. Transporti urban dhe ndër-urban (me leje të veçanta)
7. Qendrat e thirrjeve telefonike (me lista të stafit esencial), si dhe
8. Hapja e galerive dhe muzeve./eo/