Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka ndarë fotografi të kadetëve gjatë stërvitjes së sotme.
Mehaj ka njoftuar se është realizuar “Vrapi i Betejës”, aktivitet marshues me pesha të rënda.
“Kadetët tanë sfiduan veten me një marshim të tillë, duke kaluar 4 km për 35 min duke bartur 30 kg dhe më pas 2 km për 15 min duke bartur 20 kg” ka shkruar ministri në Facebook.
Tutje, ai ka thënë se detyrë e vendit është që të jetë e përgatitur për çdo situatë, dhe të qenurit në formë të duhur fizike është prioriteti numër një.
Ky është shkrimi i plotë i tij:
Ne jemi të vendosur që kadetët dhe gjithë ushtarakët tanë të stërviten shumë, sepse kjo u ndihmon jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht. Është dëshmuar se vëllimi i stërvitjes fizike determinon pozitivisht forcën mendore.
Aktiviteti i realizuar me sukses nga kadetët tanë “Vrapi i Betejës” është një marshim me pesha të rënda që karakterizohet nga ritmi dhe lëvizja me shpejtësi për të avancuar drejt një objektivi ose një lokacioni armiqësor.
Kadetët tanë sfiduan veten me një marshim të tillë, duke kaluar 4 km për 35 min duke bartur 30 kg dhe më pas 2 km për 15 min duke bartur 20 kg.
Detyrë mbi detyrat tona është të jemi të përgatitur për çdo situatë.
Të qenit në formë të duhur fizike është prioriteti numër një në çdo rast apo mision.