Ka ra mjegull
e më mashtron ai tym
mbi oxhakun e vjetër të shtëpisë.
RRUGËT E ASGJËSË
Sa trungje të vjetra,
sa degë lisash
si shkallë të përjetshme
të zogjve të vegjël,
sa flutura e sa gjethe vjeshte
vdesin në shkreptimë sekonde
nga tuberkulozi i njerëzve,
sa shumë fije bari e sa zogj kufomë o Zot,
rrugëve të asgjësë s’ka as varrtarë.
SAKRILEGJ
Me katër çizme
shkelin katakombeve
të shpirtit tënd
mbi secilin sakrament,
pastaj kanë fytyrë
për ty të mbajnë meshë.
TË RËNËT
Dorë më dorë,
njëri pas tjetrit,
kanë me u zgjue
në një të kremte
kur t’u vijë atyre pranvera,
në qiell kanë me shkrue
secilën këngë të harrueme.
BIJA E MAGJISTRICËS
Bijë e magjistricës
është edhe kjo,
sepse të pyet si ajo
a je me të a jo
dhe zgërdhihet keqas
me ty e me Kosovën
seancave ballkanike
të poshtërimit të moçëm.
DRITA NË KALVAR
Dhe tashmë nuk keni ku më
as nuk keni më se si
t’i bini më shumë
shkollës së Korçës
as në Kosovë
vrapit të Pjetër Bogdanit.
Dhe tashmë nuk keni ku më
as nuk keni më se si
t’u bini krahëve të Pjetër Budit
që kurrë s’e kapërcen lumin.
Dhe tashmë nuk keni ku më
as nuk keni më se si
t’i bini në bebëza
dritës së syve të mi.
EUNUKËT MODERNË
Tash eunukët e haremit
edhe në ndërgjegje
shumë herë i tredhin,
në marrëzi të ndihen mirë
zogj ëndrrash kur shkelin.