Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
Megjithatë arsyet e dorëheqjes thuhet të jenë personale.
Kuvendi i Odës së Farmacistëve, më 25 janar të këtij viti, e kishte shkarkuar Jakupin me 29 vota pro, në një mbledhje të jashtëzakonshme. Arsyeja e shkarkimit ishte se gjatë procedurave të zgjedhjeve që i ka pasur kjo odë në muajin qershor të vitit të kaluar, thuhet se ai ka shkelur një rregullore.
Megjithatë, Jakupi kishte vazhduar të ushtronte detyrën e tij, duke mos e pranuar vendimin e Kuvendit.
E më 21 mars, Gjyqi i Nderit në kuadër të Odës së Farmacistëve të Kosovës e kishte konsideruar të jashtëligjshëm vendimin për mocionin e mosbesimit të Kuvendit të kësaj ode për shkarkimin e kryetarit, Arianit Jakupi.
Këtë e kishte bërë të ditur vetë Jakupi, duke thënë se ankesa e tij është aprovuar dhe se votimi i delegatëve llogaritet në shkelje statutare dhe ligjore nga Gjyqi i Nderit.