Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, ka dhanë dorëheqje nga ky institucion.
Dorëheqjen e ka deponuar në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas burimeve, si arsye e dorëheqjes është përmendur kushti që u ka vënë Universiteti i Prishtinës, për të mbetur profesor i rregullt.
Kjo është konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese përmes një komunikate për media.
“Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, z. Bekim Sejdiu, sot ka dorëzuar letër-dorëheqjen e tij nga pozita e gjyqtarit, në përputhje me dispozitat përkatëse të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me Rregulloren e punës së Gjykatës. Gjyqtari Sejdiu ka ofruar dorëheqjen me qëllim të vazhdimit të karrierës së tij në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga ky universitet përkitazi me avancimet akademike të stafit mësimdhënës. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shpreh falënderimin për punën që gjyqtari Sejdiu ka bërë deri më sot në avancimin e gjyqësisë kushtetuese të Kosovës dhe i uron suksese të mëtutjeshme në karrierën e tij profesionale”, thuhet në njoftim.