Jep dorëheqje drejtori i Shëndetësisë, Hekuran Sejdiu

Hekuran Sejdiu ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Klinës.

Këtë e ka konfirmuar vet Sejdiu në një postim në facebook, ku ka falënderuar bashkëpunëtorët për punën dhe qytetarët për mbështetje.

Postimi i tij i plotë:

FALEMINDERIT!

Miq të dashur,
me rastin e lirimit të detyrës time zyrtare, ku për rreth 3 vite isha udhëheqës i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, falënderojë përzemërsisht qytetarët për mbështetjen e tyre në çdo hap timin, punëtorët shëndetësor për përkushtimin, kryetarin e Komunës, z. Zenun Elezaj, që ka mbështetur angazhimin dhe propozimet e mia.
Falënderoj drejtorët e drejtorive komunale, anëtarët e Kuvendit Komunal, punëtorët e administratës komunale, Këshillin Drejtues të QKMF-së “Nënë Tereza”, Qendrën për Punë Sociale, komandantin e Policisë në Klinë, sindikatën e punëtorëve shëndetësor, OJQ-të vendore dhe ndërkombëtare, mediumet e ndryshme, institucionet private shëndetësore dhe biznesore.
Unë jam munduar të jap maksimumin tim, qoftë në realizimin e projekteve kapitale, disiplinës dhe ligjshmërisë në punë, vlerësimit dhe kujdesit për punëtorët e zellshëm dhe moto e imja që nga dita e parë ishte: “Pacientët gjithmonë kanë të drejtë”.
Angazhimi im ishte maksimal edhe në menaxhimin e pandemisë COVID 19. Duke filluar nga 13 Marsi 2020 hartuam planin e veprimit dhe Klina ishte një storie suksesi.
Unë e ndiej veten me fat që pata mundësi të jap kontributin tim në këtë kohë, të jem bashkë me qytetarët e mi edhe në këtë sfidë të shekullit.
Për projektet e realizuara për këto 3 vite nuk do të flas tani. Janë punëtorët shëndetësor dhe sidomos qytetarët që janë dëshmitar, ndërsa raportet dhe faktet mbesin në sirtarin tim dhe të QKMF-së.
Shumë projekte të vlefshme të planifikuara e presin Klinën edhe në vitet e ardhshme. Drejtorit të ri i uroj shumë suksese.
Jam shumë i lumtur që kam pasur mundësi të njohë shume nga ju, të punojë me ju dhe që me shumicën nga ju u bëmë miq.