Reagim me shkas !
Shënimi i 30 vjetorit të themelimit të këshillit iniciativ për formimin e LDK-së në Klinë, në vend që të jetë udhërrëfyes dhe moment i unifikimit të elektoratit të LDK-së në përballje me sfidat nëpër të cilat po kalojmë, e dha mesazhin e ndarjes dhe përçarjes së partisë në baza klanore dhe grupore.
Këshilli Iniciativ për themelimin e LDK-së qëllim parësorë e kishte që të bëjë regjistrimin e anëtarësisë e sidomos të anëtarëve të ish Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, të cilët pa asnjë hezitim i kishin dorëzuar librezat partiake dhe masovikisht kalonin në radhët e LDK-së.
Qëllimi i dytë ishte përgaditja për mbajtjen e Kuvendit të parë themelues i cili u mbajt me shumë sukses me 09.06.1990 në fshatin Bokshiq, pikërisht në atë shtëpi të cilën pushtuesi serb e dogji ne vitin 1998, dhe me pas me rastin e renovimit kryesia e LDK-së e emëroi Shtëpia e Kuvendeve të Rezistencës.
Ky këshill kishte përbërje prej 7 anëtarëve:
1. Anton Kolaj,
2. Ismet Raci,
3. Prenk Gjetaj,
4. Zenun Zeqa,
5. Sevdije Shala,
6. Ibush Marmullaku,
7. Xhemajl Buqani.
Kjo është e vërteta e kësaj liste të cilën Anton Kola dhe Zenun Zeqa me duar të veta e kanë dorëzuar në Prishtinë !
Më habit fakti se si ish kryetari i parë i degës së LDK-së në Klinë, Anton Kolaj dhe Prenk Gjetaj, duke e ditur më mirë se askush tjetër historikun e këtij këshilli ranë aq lehtësisht në grackën e uzurpatorëve të LDK-së.
Mos reagimi i tyre ndaj bastardimit të fakteve historike, nuk i bën ata më pak përgjegjës sesa shtrembëruesit e tyre.
Elektorati vjetër i LDK-së e dinë, por duhet dijë edhe elektorati i ri, e në veçanti ai i dy dekadave të fundit, se me 23 Janar nuk ishte 30 vjetori i themelimit të LDK-së, sepse dega e LDK-së në Klinë është formuar me 09.06.1990.
Kjo është e vërteta historike, nëse dikush e din të vërtetën ndryshe, atëherë le ta argumentojë me fakte.
Në shenjë pakënaqësie ndaj injorimit dhe mohimit të vërtetës historike të këtij këshilli nga kryetari i degës, unë Saranda Zeqa, anëtare e kryesisë së LDK-së dega në Klinë e zgjedhur me votë në Kuvendin e lX të LDK-së jap dorëheqje të parevokueshme nga kryesia, për shkak se nuk e shoh të arsyeshme të vazhdoj tutje kontributin tim në këtë kryesi e cila injoroi qëllimisht njërin ndër themeluesit e Këshillit Iniciativ për themelimin e degës dhe mbajtjen e Kuvendit të parë Zgjedhor të LDK-së, Zenun Zeqa (babai im), veprimtar i pa epur për çështje kombëtare e në këtë rast të LDK-së, si dhe njërin nga njerëzit më përkrahës të ish Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, që në asnjë moment nuk e ka lëshuar rrugën e nisur edhe përkundër vështirësive dhe pakënaqësive të shumta që ju kanë bërë vazhdimisht atij dhe aktivistëve të nëndegës më të suksesshme të LDK-së, nëndegës së Grabanicës, si në këshillin për financim dhe në çdo organizim tjetër që është bërë në kuadër të LDK-së të kësaj nëndege.
Historia ka lënë gjurmët e saj, andaj edhe po të dojë, askush nuk mundet t’i shtrembëroj faktet historike, ngase ato janë të skalitura në mendjet e zemrat e njerëzve, të shkruara në shtypin e kohës, të filmuara nga syri i kamerave televizive dhe fokusuara nga blici besnik i aparateve fotografike.
Saranda Zeqa,
Klinë: 24.01.2020