Shaban Tasholli nga Sindikata e Policisë së Kosovës ka thënë se janë rreth 1 mijë policë që kanë dalë në pension janë të gatshëm që të rikthehen në detyrë nëse shteti i Kosovës ka nevojë si rezultat i gjendjes së krijuar.
Këto deklarata Tasholli i ka bërë në Frontal të T7, duke shprehur edhe kritika për shtetin se si nuk e kanë krijuar njësitin rezervë të policëve.
“Po e ndjej veten që jam shpirtërisht e fizikisht polic. Kam biseduar me disa shok se çfarë mund të bëjmë më tutje, jo në institucione shtetërore, por privatisht. Janë rreth 1 mijë policë pensionistë dhe s’është krijuar njësiti rezervë. Por tek ne polici largohet në pension pa asnjë privilegj. Kur unë e kam mbajt armën 23 vjet edhe më herët. Edhe ma merr atë armë dhe ajo armë shkrihet. Asnjë polic nuk e merr armën që e ka pasur disa vjet”, ka thënë Tasholli në T7.
Ai thotë se edhe përkundër moshës është i gatshëm që të rikthehet në detyrë.
“Si jo, unë e thash, po e them prap. Ndjehem i lënduar, sepse jam në gjendje të angazhohem. Unë s’mund të jem si njësi speciale. Por mund t’i kem disa sektorë, që edhe ne edhe drejtori ai e di ku mund të caktohemi. Ju bëj thirrje që të formohet njësiti special i rezervistëve”, ka potencuar ai.
Tasholli ka thënë se nëse i jepet detyra, është i gatshëm që të shkojë edhe në veri.
“Ne mund t’i kryejmë të njëjtat punë. I kemi sigurimin e objekteve. Eprorët në dhomën komanduese. Ka lloj-lloj sektorë që mund të japim kontribute. Por kudo që më cakton shteti do të jem aty. Edhe në veri”, ka shtuar Tasholli