Jeffrey Hovenier ka dhënë betimin e tij para nënsekretares së Shtetit për Politika të Jashtme të SHBA-së, Victoria Nuland.
Lajmin e ka bërë të ditur ambasada e Amerikës në Prishtinë, përmes një postimi në Twitter.
“Të martën, Jeffrey Hovenier u betua para nënsekretares së Shtetit për Politika të Jashtme të SHBA-së, Victoria Nuland si ambasador i ri i SHBA-së në Republikën e Kosovës. Mezi presim ardhjen e tij!”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.
Hovenier ishte emëruar për postin e ambasadorit të Kosovës nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden në korrik të këtij viti.
Ai është një diplomat karriere në Departamentin e Shtetit, i cili së fundmi ka shërbyer si zëvendës ambasador i Shteteve të Bashkuara në Ankara të Turqisë.
Nga gushti 2018 deri në korrik 2019 ai ka qenë i ngarkuari me punë në atë ambasadë.
Më herët, ai ishte zëvendës shef në detyrë i Misionit dhe ministër këshilltar për Çështjet Politike në Ambasadën amerikane në Berlin të Gjermanisë.
Ai ka shërbyer gjithashtu në misionet e Shteteve të Bashkuara, në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru, në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Hovenier ka përvojë në Kosovë, pasi ka shërbyer në ekipin e të Dërguarit të Posaçëm të OKB për statusin politik, Martti Ahtisaari.
Në vitin 2018, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e nderoi Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, “për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.
Gjatë ceremonisë për dhënien e medaljes, Presidenti Thaçi e falënderoi diplomatin amerikan “për kontributin në Konferencën e Rambujesë, në procesin e Vjenës dhe në procesin e shtetndërtimit të Kosovës”.
“Unë do të jem gjithmonë një mik i Kosovës”, ishte shprehur diplomati Hovenier.