Java e ardhshme me temperatura dukshëm të ulëta

Gjatë javës së ardhshme në Kosovë pritet të mbajë mot i paqëndrueshëm. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka thënë se kjo vjen si pasojë e masave të lagështa të ajrit me origjinë perëndimore dhe jugperëndimore.

Sipas IHMK-së, parashihen reshje shiu në viset e ulëta, ndërsa në disa pjesë do të krijohen kushte edhe për reshje bore. Gjithashtu parashihen të ulen dukshëm temperaturat krahasuar me javën paraprake.

Në njoftim thuhet se të hënën moti do të jetë i vranët dhe me riga shiu, ndërsa në viset e larta në disa zona perëndimore parashihen edhe reshje bore. Temperaturat minimale do të lëvizin mes 3 dhe 5 gradë celsius, e maksimalet mes 6 dhe 10 gradë.

Të martën moti do të jetë me diell e vranësira të shpërndara. Ndërsa vranësirat vende-vende do të sjellin riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin mes minus 4 dhe minus 1 gradë, ndërsa maksimalet mes 4-7 gradë.

Të mërkurën parashihet mot me diell, ndërsa temperaturat minimale do të lëvizin mes minus 3 dhe minus 1 gradë celsius, e maksimalet mes 8-12 gradë.

Mot i ngjashëm do të mbajë edhe të enjten, por temperaturat do të shënojnë rritje, ku maksimalet do të arrijnë deri 16 gradë.

Të premten parashihet mot i vranët e me intervale me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin mes 3-5 gradë e maksimalet mes 14-18 gradë.