Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, tha se vazhdimisht po pyetet nga anëtarësia që cili do të jetë koeficienti në Ligjin e Pagave.
Jasharaj, për Ekonomia Online, tha se janë të shqetësuar që po mbahet fshehtë koeficienti, duke shtuar se në një takim që kanë pasur me kryeministrin u është përmendur vlera prej 12o euro, por që nuk dihet ende.
“Kur është pyetja të koeficienti, po e them jo vetëm ne si SBAShK po edhe sindikatat tjera janë të shqetësuara sepse duke mos e ditur koeficientin ne edhe nuk mund t’i tregojmë anëtarësisë se sa do të jetë paga e tyre, pavarësisht faktit se numrin e koeficienteve e dimë. Në një takim që e ka pasur kryetari i bashkimit të sindikatave të Kosovës, zotëri Atdhe Hykolli me kryeministrin na është thënë se ai ka premtuar se në muajin janar do të publikohet zyrtarisht koeficienti, e opinioni e di edhe mediat e dinë, janë përfolur disa koeficiente, dikush ka thënë 120 euro, dikush pak më shumë se kjo, dikush pak më pak dhe kjo ka krijuar edhe një huti dhe të iu themi të vërtetën për momentin ne edhe nuk kemi përgjigje kur anëtarësia na bëjnë pyetjen sa do të jetë paga e tyre, por jemi të sigurt se pozicioni i sektorit të arsimit është në nivel të duhur mes koeficienteve ashtu edhe siç e kemi pasur versionin tonë”.
Vlera e koeficientit uron Jasharajt që të jetë i pranueshëm për të gjithë dhe të ketë rritje të pagave në të gjithë sektorët.
“…urojmë që vlera e koeficientit të jetë e pranueshme, e dëshirueshme dhe të arrihet ajo që e presin të gjithë në sektorin publik, të ne që nga çerdhet në universitet po edhe të punësuarit e tjerë që të kemi ngritje page ngase ngritje paga në Kosovë nuk ka pasur me vite të tëra, ndërsa ngritje të çmimeve ka pasur edhe ka edhe tani, dhe kjo paga aktuale e secili është zhvlerësuar në masë të duhur, uroj që të ndodhë kështu, uroj që në shkurt ta kemi të implementuar Ligjin e pagave me një koeficient i cili garanton ngritje të pagave në tërë sektorin e arsimit, por edhe në sektorët tjerë”, tha ai.