Jasharaj: Nëse nuk procedohen pagat deri më 5 tetor, mund të kthehemi sërish në grevë

Qeveria e Kosovës nuk i ka procesuar pagat për muajin shtator për mësimdhënësit të cilët kanë qenë pjesë e grevës së SBASHK-ut.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, (SBAShK), Rrahman Jasharaj tha për Telegrafin se nëse nuk procedohen pagat deri me 5 tetor, mund të kthehemi sërish në grevë.

Ndërkaq, veprimin e Qeverisë e ka quajtur “thikë pas shpine”.

“Ne e cilësuam këtë gjë si ngulje të  thikës pas shpine të Qeverisë Kurti, teksa e menduam të fillojë dhe Qeveria do të ketë mesazh pozitiv për fillimin e vitit shkollor, ata bënë edhe një shkelje të ligjeve. Kjo pasi ua ndaloi pagat tash për tash punëtorëve të arsimit të cilët ishin në grevë por jo edhe për shërbyesit civil, të cilët ishin bashkë me ne në grevë në kuadër të BSPK-së. Gjersa nesër është pesë tetori Dita Ndërkombëtare e Mësuesve, kjo është dhurata e Kurtit për këtë ditë që në tërë rruzullin tokësorë vetëm në Kosovë mësuesit janë pa paga”, tha ai.

Sipas Jasharajt, këtë veprim të Qeverisë këta e cilësojnë si dëshirë të kësaj të fundit për vazhdimin e grevave dhe konflikteve.

“Nuk kemi si ta lexojmë ndryshe përpos asaj se Qeveria duke se ka dëshirë që në Kosovë të ketë greva sepse asnjë Qeveri në botë nuk do të vepronte kështu, menjëherë pas fillimit të vitit shkollor dhe ndërprerjes së grevës”, deklaroi Jasharaj.

I pari i SBASHK-ut nuk la pa komentuar edhe deklaratën e Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci e cila ka deklaruar se pagat do të procesohen vetëm për ata që kanë punuar.

Jasharaj tha se Nagavci po krijon përçarje mes mësimdhënësve duke i shpërblyer ata që iu kanë bindur për ndërprerje të grevës dhe duke i ndëshkuar të tjerët për respektim të saj.

Ministrja Nagavci asnjë ditë nuk veproi si Ministre e Arsimit, ajo në vend të deklaratave përçarëse dhe fyese është dashur të ndihet keq që tërë sektorin e arsimit e ka në grevë. Nagavci shkoi shkollë më shkollë gjatë grevës, atje ku ka menduar se i ecin fjalët për ta thyer grevën dhe tash si ministre e të gjithëve dashka të bëjë përçarje nëpër shkolla dhe t’i shpërblejë ata mësues që e ndërprenë grevën dhe t’i ndëshkojë e kanë respektuar grevën ”, theksoi ai.

Jasharaj tutje shtoi se nëse pagat për mësimdhënësit nuk procesohen deri me datën pesë tetor, do të mblidhet anëtarësia e SBASHK-ut dhe nuk mund të garantoj ai që nuk do të kthehet prap greva.

“Kjo është Qeveria jonë që e zgjodhëm vetë, sepse 51 përqind të votave nuk janë marrë jashtë arsimit, shume nga kolegët e mi kanë votuar pro kësaj Qeverie, e cila po i shpërblen në këtë mënyrë. Me këto veprime këta po duan që greva të vazhdojë dhe kjo është qasje e gabuar, uroj që t’i procesojë pagat, sepse nuk garantojë se çfarë do të ndodhë. Në të kundërten do t’i thërrasim organet e SBASHK-ut dhe të bisedojmë për hapat e tjerë dhe pa dëshirën tonë mund që të ketë kërkesa që greva të kthehet. Cilindo vendim që e merr anëtarësia e SBASHK-ut unë do ta respektoj pavarësisht njerëzve të Qeverisë, u pa kush është fajtori, Jasharaj nuk është fajtorë”, deklatoi ai.

Kryetari Jasharaj po ashtu theksoi faktin që nuk mund të pranojnë para nga prindërit të cilët i kanë fyer dhe kërcënuar gjatë kohës kur ishin në grevë.

“Unë e vlerësoj mirëpo nuk është zgjedhje kur këshilli i prindërve del me njoftimin se gjoja do të mbledhë para që t’i paguajë mësimdhënësit. Neve nuk na duhet lëmosha, mirëpo paratë që na takojnë. Nuk duam para nga prindërit të cilët na fyen e kërcënuan sepse një pjesë e tyre do të shkojnë në shkollë dhe do t’ua lodhin shpirtin mësimdhënësve duke iu thënë ‘ec puno, mshele gojën sepse unë të kam dhënë para’”, përfundoi Jasharaj.

/Telegrafi/