Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nisma-s Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të majtë që të votojnë Qeverinë Kurti që, sipas tij pritet të jetë qeveri e pakicës.
Ai madje ka pranuar se vendi nuk mund të ketë qeveri më të keqe sesa ajo që ishte e kaluara ku bënte pjesë edhe Nisma Socialdemokrate.
Sipas Krasniqit nëse për një vit nuk shihet ndonjë ndryshim esencial në qeverisjen e vendit, pas një viti me mocion të mosbesimit lehtë mund të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Pasi për më shumë se dhjetë vjet ua dhamë mundësin politikave të djathta të qeverisin me vendin dhe vërtetë qeverisën keq, pse mos t’ia japim një vit mundësi të majtës politike për të qeverisur me Kosovën?”, ka shkruar tutje ai duke shtuar se nuk beson që nuk do të kemi qeverisje më të keqe sesa që kishim deri më tani.
“Konsideroj që një vit është kohë e mjaftueshme për të parë se çfarë qeverisje po i bëhet vendit. Natyrisht, në ketë rast kërkoj nga Kryeministri i Qeverisë së pakicës (nëse arrihet), që mos ta sheh të Qeverisurit si “hallvën me shumë sheqer”, për qeveritarët, por ta sheh si një sherbet të mirë për qytetarët e Kosovës!”, përfundon Krasniqi./