Ditë më parë, Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, njoftoi se Italia do të dërgojë një ekip mjekësor ushtarak për të ndihmuar Kosovën në luftën me COVID-19.
Një lajm të tillë ajo e konfirmoi pas bisedës që kishte zhvilluar përmes telefonit me ministrin e Jashtëm italian, Luigi Di Maio.
“Ministri Di Maio më konfirmoi që do të dërgojë një ekip ushtarak-mjekësor nga Italia në ndihmë Kosovës në luftën anti-COVID-19, dhe për këtë akt fisnik, e falënderova përzemërsisht”, shkroi kryediplomatja, pa dhënë ndonjë informatë tjetër.
Gazeta Express ka pyetur në Ministrinë e Shëndetësisë për datën se kur do të vijë ky ekip në Kosovë dhe numrin e mjekëve që do të jenë pjesë e tij.
Zëdhënësi i MSh’SË, Faik Hoti, ka thënë se janë në kontakt me Ambasadën Italiane rreth datës kur do të vijnë, derisa ka deklaruar se pjesë e këtij ekipi do të jenë katër mjekë.
“Jemi në kontakt me Ambasadën Italiane, pritet veç konfirmimi i datave kur do të vijnë. Pjesë e këtij ekipi do të jenë katër mjekë”, ka thënë Hoti.
Ndryshe, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dje u ka dërguar letër ambasadorëve të huaj në Kosovë, duke iu kërkuar që ta ndihmojnë Kosovën.“Ambasadorë dhe diplomatë të nderuar, unë i kam shprehur këto vështrime me ju shumë herë në takimet tona. Tani, në emër të popullit të Kosovës, publikisht ju kërkoj juve dhe vendeve tuaja që t’u siguroni institucioneve të kujdesit shëndetësor të Kosovës pajisjet e nevojshme mjekësore dhe burimet njerëzore për të mundësuar të parandalojmë që një krizë shëndetësore të shndërrohet në një katastrofë humanitare”, ka shkruar Kurti.