Jo rrallëherë prindërit përfundojnë në pranga për shkak të keqtrajtimit që ua bëjnë fëmijëve. Në shumicën e këtyre rasteve, viktima janë të miturit, ndaj të cilëve ushtrohet dhunë fizike e psikike. Për një rast të tillë, ka rënë në pranga të Policisë, një person në fshatin Vrellë të Istogut.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personi që u arrestua po dyshohet për dhunë fizike dhe psikike ndaj vajzës së tij, pas një konflikti verbal që dyshohet se kishin pasur mes vete.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për një 16-vjeçare, e cila u rrah nga babai i saj dhe për pasojë pësoi lëndime trupore, për çka rasti u raportua menjëherë.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është ndaluar për 48 orë dhe do të hetohet për veprën penale ‘Dhunë në familje’.