Gazmend Syla, ish ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thënë se në vitin 1998 pavarësisht që nuk kanë pasur uniforma armët i kanë mbajtur në krahë.
Syla, ka treguar se edhe qytetarët e tjerë që kanë marrë pjesë në organizime kanë mbajtur armë edhe pse në fillimin nuk kanë pasur uniforma.
“Në maj të vitit 1998 fshati jonë për herë të parë e përjeton sulmin e parë frontal me tenka e gjitha artileritë. Organizimet për herë të parë kanë qenë edhe pa uniforma, djemtë e kanë pasur një pushkë janë shkuar në Shqipëri janë armatosur por edhe pse ska pas ndonjë uniformë me marrë atje nuk ka pasur ndonjë telashe të madhe sepse kemi pas edhe shumë qytetarë fshatarë tonë që kanë pas edhe pushkë të veta edhe ai uniformën nuk e ka pas, pushkën po, e ka majtë revolen në brez e pushkën në krah pa uniformë”, ka thënë ai në emisionin N’Konak.
Gjithashtu, Syla ka treguar se për herë të parë uniformën e ka veshur në maj, kur ka shkuar në Jabllanicë.
“Por pas këtij aksioni që ndodhi me pasojë të mëdha, në fshatin tonë pasi ne ishim në brez, në magjistralen Pejë-Prishtinë, na u ka dashtë të sistemohemi në fshatin Jabllanicë, diku ka qenë m 20 maj, sulmi parë në fshatin tonë. Ne kemi rezistu dy tri ditë, masnej na u ka dashtë me shku atje në Jabllanicë dhe e kam veshur uniformën për herë të parë”, ka thënë ai.