Ramë Vataj, ish rektor i Universitetit “Ukshin Hoti” është dënuar me gjobë pasi u gjet fajtor nga Gjykata e Prizrenit.
Vataj akuzohet për cenimin e së drejtës së punës ndaj kandidatit Vehbi Miftari.
Vataj u dënua me gjobë në shumën prej 1,500 euro nga gjykatësi Ftamir Krasniqi.
I dëmtuarit Vehbi Miftari për realizimin e kërkesës pasurore juridike, është udhëzuar në kontest të rregullt civilo-juridik.
Gjykata bën të ditur se Vataj u gjet fajtor se nga data 30 shtator 2017 e deri në tetor të vitit 2018, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren në cilësi të Rektorit të Universitetit, ia ka mohuar apo kufizuar personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta.
Tutje thuhet se ai nuk e kishte zbatuar vendimin e Sektorit të Inspeksionit të Arsimit në Prizren të datës 14 shtator 2017, përmes të cilit urdhërohej Universiteti që të rishqyrtojë konkursin e datës 1 gusht 2016.
Sipas Gjykatë, Vataj në atë vendim ishte urdhëruar të themelojë komision recensues me kompetencë profesionale dhe kredibile në fushat specifike të publikuara në konkurs, të garantojë respektimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, të trajtojë barabartë të gjithë pjesëmarrësit në konkurs si dhe Universiteti të përzgjedhë komision recensues të veçantë për çdo fushë.