Ka shumë raste kur gratë kosovare nuk ‘shpëtojnë’ nga problemet edhe pse zgjedhin që të shkurorëzohen e të ndajnë rrugët me bashkëshortët e tyre, të cilët u shkaktojnë telashe. Edhe pas ndarjes, shumë nga ta nuk i lënë rehat ish-partneret e tyre. Nga këto situata nuk kursehen as fytyrat publike dhe gratë që janë me ndikim në shoqëri. Ndihmën e Policisë së Kosovës e ka kërkuar dje edhe një figurë e njohur e showbizit shqiptar,
Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për ish-Miss Kosovën, Drenusha Latifi, e cila ka denoncuar ish-bashkëshortin e saj, Atilla Kardesh, në Polici.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se Latifi është ankuar tek organet e rendit se ish-bashkëshorti vazhdimisht e shqetëson dhe e përcjell nga mbrapa, duke ngjallur tek ajo frikë dhe shqetësim.
Bazuar në dëshminë e 38-vjeçares, Kardesh e ka kërcënuar edhe me jetë, duke i thënë se do ta vrasë, gjë që ka shkaktuar shqetësime të mëdha tek ajo dhe për këtë është detyruar të kërkojë edhe ndihmë mjekësore.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari Atilla Kardesh është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.
Ndryshe, rastin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale.
“Viktima femër kosovare ka raportuar se në vazhdimësi është duke u shqetësuar nga ish bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar i cili sipas saj e ka kanosur me vrasje. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Kujtojmë se ish-çifti Drenusha dhe Atilla i dhanë fund lidhjes së tyre vitin e shkuar pas 10 vitesh martesë. Nga martesa e tyre ata kanë dy fëmijë të përbashkët, një vajzë dhe një djalë.
Përpos e njohur si më e bukura e Kosovës, Drenusha Latifi kishte sfiduar veten edhe në muzikë, por që ka kohë që është tërhequr nga skena.
Ajo i është përkushtuar tërësisht familjes dhe ka vazhduar jetën e saj në Malmo të Suedisë.