Ish-ministri i Mbrojtjes nga radhët e LDK-së, Haki Demolli, ka njoftuar se nuk është i interesuar që të jetë pjesë e listës zgjedhore.
Ai përmes një teksti të gjatë në llogarinë e tij në Facebook, ka treguar disa arsye se pse LDK në zgjedhjet e përgjithshme duhet të shkojë e vetme në zgjedhje, pa bërë koalicion me parti të tjera.
Sipas Demollit, koalicionet parazgjedhore janë të dëmshme për këtë subjekt.
“Fatkeqësisht, ne si LDK këtë përvojë jo të mirë e kemi përjetuar në zgjedhjet e vitit 2017, kur nga votuesit e LDK-së, me të madhe janë votuar kandidatët e Alternativës dhe të AKR-së, siç ishte rasti me Mimoza Kusarin, Behxhet Pacollin, Ilir Dedajn, Korab Sejdiun e madje edhe me Labinot Tahirin, që fituan me nga 10-15 mijë vota, e që përndryshe sikurse mos të ishin në listën e LDK-së, vështirë se do të merrnin numër kaq të madh të votave”, është shprehur Demolli.
“Nëse futen 10-15 kandidatë të partive të tjera në listën e LDK-së, atëherë jashtë kësaj liste do të mbesin 10-15 anëtarë të devotshëm të LDK-së, e një gjë e tillë nuk është e ‘shëndetshme’ për LDK-në, sidomos në kohën e zhvillimeve jo të kënaqshme, kur ish deputetë, asamblistë komunal, aktivistë të degëve dhe nëndegëve të saj po pozicionohen në anën e të ‘pakënaqurve’ të LDK-së”, ka shtuar ai.
Sipas tij, një prej arsye se pse LDK duhet të garojë e vetme është për të parë se sa kanë ndikuar zhvillimet e kohëve të fundit.
“Andaj pasur parasysh faktet e lartë theksuara, si dhe rrjedhat e kohëve të fundit brenda LDK-së, jam i mendimit që LDK-ja në zgjedhjet e shkurtit 2021 duhet të garojë e vetme, pra duhet të dalë si e vetme që të matet në ‘peshoren zgjedhore’, për të parë se sa kanë ndikuar zhvillimet politike ( dy qeveritë dhe ndasitë brenda LDK-së), ndërmjet dy palë zgjedhjeve”, ka shkruar Demolli.
“Kuptohet nëse shënon rezultat më të mirë se sa në zgjedhjet e fundit, gjë që LDK-së i dëshiroj nga zemra, atëherë të shpërblehen dhe dekorohen kreatorët e këtyre zhvillimeve, e nëse nuk arrihet rezultati i kënaqshëm atëherë mos të shfrytëzohet koalicioni parazgjedhor (me AKR-në) si alibi për mbulimin e mossuksesit, por të vjen në shprehje përgjegjësia politike”, ka shtuar ai.