Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Podujevë, Fatmir Humolli, i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje, njofton Llapi.info.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Humolli në një postim në rrjetin social Facebook, duke shtuar se këtë veprim në VV e konsideron si alternativën më të mirë qeverisëse.
“Kam vendosur t’i bashkohem listës së LËVIZJES VETËVENDOSJE! për deputet, me qëllimin e vetëm për të dhënë kontributin tim në jetësimin e programit të saj të cilin e konsideroj si alternativën më të mirë qeverisëse për Kosovën”, ka shkruar Humolli.
“Jemi dëshmitarë se në vendin tonë është ndërtuar një sistem i gabuar i cili prek thuajse të gjitha fushat e jetës e i cili po pengon çdo përparim kombëtar, politik, ekonomik e shoqëror. Prandaj, ndjej nevojën urgjente për veprime konkrete e të menjëhershme për transformimin e këtij sistemi regresiv në një sistem rrënjësisht të ndryshuar e që i garanton vendit e qytetarëve barazi, drejtësi, mirëqenie ekonomike e sociale, siguri e përparim në çdo fushë të jetës”, ka deklaruar ai.
Kujtojmë se vitin e kaluar ish-kryetari i degës së AAK-së në Podujevë, Fatmir Humolli, pati dhënë dorëheqje nga ky post dhe nga të gjitha funksionet në partinë e Ramush Haradinajt.
Në letrën e dorëheqjes Humolli pati thënë se ndjehet i tradhtuar nga lideri i partisë së tij, i cili nuk i mbajti fjalët për demarkacionin./