Ish-kryetari i Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës, Valon Prestreshi, ka bërë një kalkulim se sa kanë fituar tregtarët pas rritjes së çmimit të vajit.
Preteshi ka shkruar se fitimet e tregtarëve në Kosovë në dy tre ditët e fundit llogaritet të jenë rreth 2.05 milionë euro, shkruan Reporteri.net.
“1,000,000 shishe vaj, me çmim blerës 1.45 dhe çmim shitës 3.5. Marzh fitimi bruto, 2.05milion. Mi fitu 2.05 milion për 2-3 ditë, çdo biznesmen, nuk ta bo llaf me hi nburg për nja 2 vjet. Por ktu duhet me bo shteti diçka tjetër. Ata e din veç Autoriteti i Konkurrences”, ka shkruar Prestreshi.
Gjatë ditës së djeshme, çmimi i vajit ka arritur në 3.5 euro për litër, ndërkohë që një komplet me vezë (30 copë) është shitur për gati 5 euro. Shtrenjtim ka pasur edhe në produkte të tjera.
Në orët e mbrëmjes është aktivizuar edhe Prokuroria e Shtetit dhe Krimet Ekonomike të Policisë.
Në aksionin e Krimeve Ekonomike dhe Inspektoratit të Tregtisë, janë mbyllur disa depo të supermarketeve që dyshohet se manipuluan me çmimin e vajit.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka bërë thirrje Prokurorit të Shtetit që të nisë hetimet derisa ka theksuar se kjo tendencë për keqpërdorim të situatës e dëmton jashtëzakonisht xhepin e qytetarëve dhe duhet të marrë fund sa më parë.
Ajo ka paralajmëruar se ata që kurdisin rritjen e çmimeve mund të dënohen me burgim deri 5 vite.
“Një kurdisje dhe orkestrim të të cilit po jemi dëshmitarë, është vepër penale e sansksionuar në mënyrë të dyfishtë, me burgim (1-5 vite) si dhe dënim shtesë me gjobë, bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë Haxhiu.