Ish-gjyqtari Kolë Puka dënohet me 10 muaj burgim për shpëlarje parash

Ish-gjyqtari Kolë Puka, është dënuar me 10 muaj burgim e dy mijë euro gjobë, për veprën penale shpëlarje parash.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, që është shpallur të hënën, lidhur me pikën e parë të dispozitivit të aktakuzës, Puka është dënuar me gjobë prej 1 mijë euro dhe dënim me burgim prej 6 muajsh, raportoi “Betimi për Drejtësi”. Kurse, për pikën e dytë të dispozitivit të aktakuzës, Puka është dënuar me 1 mijë euro gjobë dhe 6 muaj burgim.

Në fund, atij i është shqiptuar dënimi unik prej 10 muajsh burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Po ashtu, të akuzuarit Puka iu shqiptua edhe dënim plotësues, që do të thotë se i konfiskohet shtëpia me shënime si në certifikatën e lëshuar në Prishtinë, më 18 janar 2008.

Kurse është refuzuar propozimi i dytë i Prokurorisë, për kthimin e mjeteve në shumë prej 30 mijë euro personit tjetër, meqë është konsideruar si i pabazë.

Ai është detyruar t’i paguajë shpenzimet procedurale në shumën prej 100 euro dhe 50 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

Bashkë me Kolë Pukën në këtë rast akuzohej edhe Z.P., mirëpo ndaj tij është pushuar procedura penale për shkak të vdekjes së tij.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 gusht 2014, Puka është marrë me “aktivitet kriminal nga viti 2002-2009, duke keqpërdorur pozitën e gjyqtarit pranë Gjykatës Komunale në Klinë, në atë mënyrë që gjatë aktivitetit kriminal ka përfituar mjete financiare në shuma milionëshe”.

Në aktakuzë thuhet se Puka, duke e ditur që pasuria e përfituar ka rrjedhur nga aktiviteti kriminal dhe me qëllim që ta fshehë, ta konvertojë apo maskojë, me këto mjete financiare ka blerë patundshmëri dhe më 4 prill 2008 në Gjykatën Komunale në Prishtinë ka vërtetuar kontratën mbi shitblerjen e patundshmërisë në vlerë prej 35 mijë euro./Koha.net/