Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina, e cila në legjislaturën e gjashtë të Kuvendit të Kosovës kaloi në Partinë Socialdemokrate (PSD), në një intervistë për Front Online, ka folur për tentim marrëveshjen për formimin e Qeverisë ndërmjet Lëvizjes “Vetëvendosje” si partia e parë fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Pantina tha se VV-ja dhe LDK-ja e kanë tepruar me vonesat që po i bëjnë për formimin e Qeverisë.
Sipas saj, Qeveria duhet të formohet sa më shpejtë, pasi që, siç thotë ajo, ka shumë probleme të cilat presin zgjidhje.
“Mendoj se tashmë është tepruar kjo vonesë dhe këto mosmarrëveshje ndërmjet dy subjekteve të cilat po pretendojnë ta formojnë Qeverinë e ardhshme, ka shumë probleme në vend për të cilat duhet të ofrohen zgjidhje të shpejta dhe të qëndrueshme dhe nuk është e drejtë ndaj qytetarëve të cilët kanë votuar për ndryshim, por rezultatet ende nuk po shihen”, deklaroi Pantina.
Ajo tha se të gjitha diskutimet për formimin e Qeverisë ndërmjet dy partive më shumë janë për poste se sa për programin qeverisë.
Ajo tha se dorëheqja e Glauk Konjufcës nga posti i Kryeparlamentarit duhet të diskutohet nga VV-ja dhe LDK-ja, në mënyrë që ta gjejnë një zgjidhje sa me të shpejtë.
“Nuk është e rëndësishme kush është fajtor sa është e rëndësishme të gjendet zgjidhja. Unë mendoj se u takon dy subjekteve që ta gjejnë këtë zgjidhje, nuk e di nëse duhet të jap dorëheqje z.Konjufca, kjo është çështje e cila duhet të diskutohet dhe të zgjidhet nga këto dy subjekte. Por mendoj se ajo çka është e pranueshme janë diskutimet kaq të gjata në publik dhe të gjitha diskutimet janë kush është fajtori jo cila është zgjedhja, për më tepër i gjithë diskutimi është rreth pozitave e jo rreth çështjeve apo programit e çfarë ofrojnë qeveria e ardhshme”, tha ajo për Front Online.
E pyetur se në rast se VV-ja dhe LDK-ja nuk do të arrijnë një marrëveshje brenda afatit kushtetues, kush duhet ta marrë mandatin për formimin e Qeverisë, Pantina tha se mandatari i takon partisë së dytë apo koalicionit i cili arrin t’i ketë 61 vota.
Ajo tha se partitë të cilat i përfaqësojnë qytetarët në Kuvendin e Kosovës duhet që ta gjejnë një zgjidhje pasi që, sipas saj, nuk është e nevojshme që të shkohet sërish në zgjedhje.
“Kjo çështje është e adresuar me Kushtetutë, i takon subjektit të dyte apo atij koalicion i cili mund ta dëshmoj se i ka 61 vota për ta votuar qeverinë e re, zgjedhjet janë mbajtur qytetarët kanë votuar unë mendoj se nuk është e nevojshme që edhe një herë kaq shpejt të shkohet në zgjedhje, ka hapësira ende që të gjendet një zgjedhje brenda subjekteve që janë të përfaqësuara në Kuvend”, tha ajo për Front Online.
Pantina për Front Online tha se kjo parti po punon për riformatim .
“Nuk është që e kemi diskutuar se a duhet të shkojmë në zgjedhje, PSD-ja është duke e diskutuar riformatimin e vet dhe prapë personalisht mendoj se nuk është e nevojshme të shkohet në zgjedhje, ne ende nuk e kemi parë Kuvendin të funksionoj”, tha ajo.
Ndërsa e pyetur për akuzat e fundit ndaj kryetari të Prishtinës, Shpend Ahmeti, lidhur me ndërtimet në liqenin e Badocit, Pantina tha se nuk ka informacion se çfarë po ndodhë atje.
“Në fakt unë s’jam e njoftuar se çfarë po ndodhë atje, kam frikë se nuk mund të jap përgjigje në këtë pyetje”, u shpreh ajo