Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka komentuar zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, duke u shprehur se është për të ardhur keq që situata është në këtë gjendje. Sipas tij, një gjë e tillë i ka dhënë më shumë pikë Serbisë në arenën ndërkombëtare.
Ai ka theksuar se në lidhje me asociacionin, tashmë serbët kanë fituar më shumë avantazhe, ku thekson dhe faktin se ishte vetë Kurti që e kishte pranuar këtë marrëveshje.
“Asociacioni është bërë një çështje që është pranuar nga Kurti dhe nga qeveria si në marrëveshjen e Ohrit dhe më parë në Bruksel, Kurti ka dhënë miratimin e tij për marrëveshjen e Ohrit ai e ka pranuar dhe me një situatë të tillë nuk do të ketë pengesë për formimin e asociacionit. Situata e acaruar çon që edhe serbët në veri dhe ndërkombëtarët të kërkojnë më shumë nga Kosova. Ndaj nuk po shikoj një asociacion që është diskutuar më parë, por me kompetenca më të mëdha për serbët”, ka thënë ai.
Ndër të tjera ai është shprehur se pas incidentit ku u lënduan 30 ushtarë të KFOR-it, serbët do të jenë më të kujdesshëm në sjelljen e tyre, dhe pse sipas tij një gjë e tillë ka ndodhur nga bandat e Serbisë dhe jo nga qytetarët që jetojnë në veri të Kosovës.
“Serbët në veri të Kosovës janë shumë të kujdesshëm ndaj KFOR-it krahasim me një situatë që ka ndodhur një javë më parë dhe është mirë që e kanë vlerësuar ndryshe tashmë këtë situatë dhe i kanë bërë një vërejtje të fortë Kurtit dje nga përfaqësuesit e NATO-s në Kosovë. Kjo është hera e parë që i bëhet një vërejtje një zyrtari të lartë në Kosovë, pasi ndodhi që 30 ushtarë të KFOR të plagosen nga bandat, po them banda sepse thuhet se shumë nuk janë qytetarë tanët”, është shprehur ndër të tjera ai në ‘Tirana Live’.